Sela e Taravari takojnë ministrat në Gostivar

Shpërndaje

Kryetari aktual dhe ish kryetari i ASH-së, Arben Taravari dhe Ziadin Sela janë fotografuar duke pirë kafe në një lokal të Gostivarit, bashkë me tre ministrat e kësaj partie në qeveri, Krenar Lloga, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, përcjell KlanM.

Fotografia është publikuar nga drejtuesi i Departamentit për Informim në ASH, Arben Zeqir, i cili nuk ka dhënë shumë detaje për temën e bisedës apo qëllimin e takimit.

“Në Gostivar”, ka shkruar shkurtimisht Zeqiri.

Fotografia vjen pas informacioneve dhe diskutimeve të shumta të ditëve të fundit e sidomos pas dështimit të Ligjit për amnisti, sipas të cilave, ASH duhet ta rishikojë pjesëmarrjen e saj në qeveri.

NDryshe, vet ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga edhe pse i zhgënjyer nga mospërkrahja e partnerëve të koalicionit për ligjin që ai e propozoi, sërish tha se nuk e mendojnë largimin nga qeveria.