Kujt do t’i takojë ASH-ja, Taravarit apo Selës?

Shpërndaje

Deri dje shokë e tani do të përballen në Gjykatë. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari dhe kreu i Kuvendit Qendror, njëherit ish kryetar partie, Ziadin Sela, nga dje zyrtarisht i ndanë rrugët. Bashkë me ta, në rrugë të ndara do të vazhdojnë edhe deputetët, ministra, ish ministra, anëtarët e kryesisë qendrore dhe kuvendit qendror.

Arsyeja kryesore për ndarje të rrugëve ishte ajo se si duhet Aleanca të shkojë në zgjedhje, vet apo në koalicion. Megjithatë, që të dy palët, drejtësinë për atë se kujt do t’i takojë partia dhe vulat, pritet ta kërkojnë përmes Gjykatës.

“Unë mendoj se kjo temë duhet të përmbyllet. Mendoj se rrugët tona prej sot janë ndarë. Ata që mendojnë se duhet t’i ndihmohet BDI-së, mund të vazhdojnë. Ne që mendojnë se duhet ta sjellim ndryshimin, se ndryshimin mund ta sjellë vetëm Aleanca e askush tjetër. Unë e them një fjali, Gjykata si të vendosë. Komplet e drejta është nga ana jonë. As që diskutohet, me anëtarë të kryesisë, me anëtarë të Kuvendit, por gjykata le të vendose.”- deklaroi Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Por kreu i Kuvendit Qendror të partisë, Ziadin Sela, nuk do të dëshironte që kjo çështje të arrijë deri në gjykatë, por problemet t’i zgjidhin mes vete në mbledhje të kongresit të partisë. Megjithatë, nëse puna vjen deri në gjykatë, ata do ta respektojnë vendimin final.
“E udhës do të ishte që të mos na përsëritet situata e sotme ku kryetari i partisë mungoi në Kuvend. E udhës është që ai të vijë në kongres dhe aty të zgjidhen këto çështje dhe mos kemi nevojë të shkojmë në gjykatë. Por natyrisht edhe z.Taravari edhe unë, ne, kuptohet se do t’i respektojmë vendimet e gjykatave.”- tha Ziadin Sela – Kryetar i KQ – ASH.

Për atë se kujt i takojnë vulat e partisë, Taravari thotë se partinë nuk e bëjnë as vulat, as veturat e as selia, por atë e bëjnë njerëzit, kauza e ideali.

“E kam thënë, partinë se bëjnë as vulat as veturat as selia. Partinë e bëjnë njerëzit, fryma, kauza, ideali. A nuk i shihni njerëzit e buzëqeshur? Shihni foton e atyre që janë në anën tjetër, krejt janë të dëshpëruar, kokulur. Thjeshtë rëndë e ka, jo anëtari, por votuesi i ASH të jetë bashkë me BDI-në dhe të thotë ky është ndryshimi.”- pohoi Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Përndryshe në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Qendror krahu i Selës, u ngrit iniciativë që të shkarkohet nga funksioni kryetari i partisë Arben Taravari. Vendimi final dhe zyrtar do të merret në mbledhjen e kongresit të partisë që është caktuar për më 18 shkurt.