MaqedoniTop Lajme

Në Universitetin e Tetovës u mbajt “Dita e hapur” dhe “Panairi i karrierës”

Shpërndaje

Në Universitetin e Tetovës, më 25 prill 2024, u mbajt “Dita e hapur”, ku të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm maturantësh nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë. Paralelisht më këtë aktivitet, në hapësirat e Universitetit u organizua edhe Panairi i karrierës, ku kompani të njohura nga lëmenj të ndryshëm, i prezantuan produktet e tyre. “Dita e hapur” ka për qëllim që maturantët të njihen nga afër me ofertën akademike të Universitetit, kushtet infrastrukturore, laboratorët, risitë e programeve studimore dhe mundësitë e shumta që Universiteti ofron, që studentët e ardhshëm të jenë sa më të formuar për tregun e punës.

Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri u shpreh se Dita e hapur, këtë vit organizohet me një agjendë shumë të pasur, me 13 fakultete dhe 98 programe studimore të cilët kanë përgatitur prezantime për natyrën e programeve studimore, kompetencat që do t’i përfitojnë pas përfundimit të studimeve, me qëllim që të forcohet komunikimi me maturantët dhe ata ta kenë më të lehtë për të marrë vendime për të ardhmen e tyre. Më pas, ai u ndal edhe te programet e reja studimore që i janë shtuar këtë vit Universitetit. “Këtë vit akademik në Universitetin e Tetovës, listës së programeve studimore i shtohen edhe katër programe të reja, Mjekësia Veterinare në Fakultetin e Bujqësisë, Kozmetikë dhe Estetikë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, Biologji dhe Kimi e përshtatur për shkollat fillore, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore dhe Informatika Afariste në kuadër të Fakultetit Administrim Biznesi. Universiteti i Tetovës programet studimore i përgjithëson vazhdimisht në përputhje me kërkesat e tregut të punës.” – tha Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri.

Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti u shpreh se Panairi i karrierës, si platformë realisht paraqet urë lidhëse në mes studentëve, stafit akademik dhe komunitetit të biznesit. “Sot në Universitetin tonë ne shënojmë edhe një ngjarje tjetër – Panairin e karrierës, platformë kjo e rëndësishme për bashkëpunim mes studentëve, stafit akademik dhe komunitetit të biznesit. Kemi hapur dyert për një numër të konsiderueshëm të kompanive dhe organizatave duke filluar nga ato ushqimore fundamentale, prodhuese, farmaci, institucione bashkëpunuese, librari e shumë të tjera qe kanë interes për të përfshirë studentët tanë në fushat e tyre të interesit. Është një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar mundësitë e punësimit, për të bërë kontakte me profesionistë të fushave të ndryshme dhe për të gjetur udhëzim për zhvillimin e karrierës. Universiteti ynë është vendi ku talentet e reja formohen dhe zhvillohen dhe ky panair është një shans për kontaktet e para të absolventëve për të dëshmuar aftësitë e tyre në tregun e punës.” – theksoi Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.

Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe prorektorët, gjatë ditës i pritën në takim drejtorët e shkollave të mesme ku u diskutua për sfidat dhe planet për të ardhmen e arsimit në gjuhën shqipe. Udhëheqja e Universitetit po ashtu i vizitoi edhe njësitë akademike ku u promovuan programet për vitin e ardhshëm 2024/25, sikundër i vizituan edhe tendat e kompanive pjesëmarrëse në Panairin e karrierës, ndërkaq në përmbyllje të kësaj veprimtarie, stafit akademik që e promovoi Universitetin para maturanteve dhe përfaqësuesve të kompanive, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm ju ndanë mirënjohje.