Shqipëria 15 vite në NATO, Rama falenderon Blinken për urimin: Mbetemi të palëkundur në përkushtimin për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken pas urimit të tij në kuadër të 15 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan se Shqipëria vazhdon të forcojë bashkëpunimin dhe të përkushtohet për t’u bërë ballë sfidave globale në zhvillim.

Kreu i ekezkutivit, teksa theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në rajon, tha se pret një bashkëpunim akoma më të frytshëm brenda familjes së NATO-s.

“Faleminderit sekretar Blinken. Ky 15-vjetor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk është vetëm një festë e arritjeve tona të së shkuarës, por edhe një riafirmim i përkushtimit tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave që mbështesin Aleancën tonë. Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s dhe ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë. Ne jemi të nderuar të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojmë të përshtatemi dhe forcojmë bashkëpunimin tonë përballë sfidave globale në zhvillim. Ne presim shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s. Faleminderit për aleancën, miqësinë dhe partneritetin Shqipëri – SHBA”- shkruan Rama.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, përgëzoj Shqipërinë dhe Kroacinë për 15-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO”- shrpehej Blinken në mesazhin e tij ditën e djeshme.