MaqedoniTop Lajme

Protestat e studentëve për Shqipen/ Mickoski: Shumë shpejt, zgjidhja për provimin e jurisprudencës

Shpërndaje

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se është i gatshëm të diskutohet përdorimi i gjuhëve në provimin e jurisprudencës, duke theksuar se të gjithë duhet të kenë të drejtën të përdorin gjuhën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Gjithashtu Mickoski tha se nuk sheh pengesa për avancimin e të drejtave gjuhësore të komuniteteve.

Ai theksoi se arsimi mbetet çelësi i zhvillimit të shoqërisë dhe se vendimet në këtë drejtim duhet të jenë mbi interesat politike.

Sipas tij, është e rëndësishme të shmangen, siç i quajti ai, “grackat nacionaliste”, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt mund të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët.

Studentët shqiptarë në Shkup kanë dy vite që kërkojnë të drejtat e tyre kushtetuese për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqip.

Ndërsa në dy protestat e tyre të mëdha me 6 prill dhe 18 maj ajo kërkesa u kthye në një mision.

Ata i quajtën tubimet e tyre amanet nga të parët për një përfaqësim dinjitoz dhe me respekt të atyre që në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues.