MaqedoniTop Lajme

Kuvendi miraton vendimin statutor për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të UNT-së

Shpërndaje

Shkup, 10.06.2026 – Sot, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Sport dhe në Komisionin Juridiko-Ligjvënës, u shqyrtua dhe u miratua Vendimi Statutor për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Gjatë seancave të komisioneve parlamentare, arsyetimi mbi nevojën e miratimit të këtij akti statutar u prezantua nga rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe sekretari i Përgjithshëm, Doc. Dr. Rahim Jashari.

Në fjalën e tyre, drejtuesit theksuan se ndryshimet dhe plotësimet statutare vijnë si rezultat i nevojës imperative për harmonizimin e dispozitave të Statutit me gjendjen aktuale juridike, organizative dhe funksionale të Universitetit. Ky proces garanton zbatimin e plotë dhe të njëtrajtshëm të kornizës ligjore që rregullon veprimtarinë e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Përmes ndryshimeve të propozuara realizohet, harmonizimi i organizimit të brendshëm institucional me zhvillimet e fundit akademike, përditësimi i dispozitave që rregullojnë identitetin zyrtar dhe funksionimin e njësive akademike, avancimi i bazës normative për të siguruar një menaxhim efikas, llogaridhënës dhe transparent të Universitetit.

Anëtarët e të dy komisioneve parlamentare vlerësuan njëzëri se amendamentet e propozuara janë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve institucionale të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Miratimi i këtij Vendimi Statutor në komisionet kompetente parlamentare shënon një hap me rëndësi kapitale në procesin e konsolidimit juridik dhe institucional të UNT-së. Ky vendim krijon të gjitha parakushtet e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për përmbushjen me sukses të misionit të tij në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe shërbimit ndaj komunitetit.