Mickoski: Rikonstruimi i Qeverisë sjell energji të re, ritëm të ri dhe përgjegjësi edhe më të madhe
Në Kuvend po mbahet seanca për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar. Kryeministri në ekspoze i prezantoi ministrat e rinj, nga të cilët tha se pret të punojnë dhe të marrin përgjegjësi secili në resorin e tij, me çka do ta avancojnë shtetin. Pushteti dhe opozita në debat me qëndrime të ndryshme për rikonstruimin e Qeverisë që ndodh pikërisht dy vjet nga mandati i saj.
I nderuar kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Çdo brezi i vjen momenti i vet i përgjegjësisë. Një moment në të cilin nuk vendoset vetëm për të tashmen, por edhe për drejtimin në të cilin do të ecë shteti në vitet që vijnë. Besoj se sot është pikërisht një moment i tillë.
Shtetet nuk e ndryshojnë fatin e tyre përmes rastësive. Ato e ndryshojnë përmes vendimeve. Përmes njerëzve që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi. Përmes institucioneve që kanë guximin të ndryshojnë atëherë kur kjo është e nevojshme. Dhe përmes një populli që e di se e ardhmja nuk u përket kurrë atyre që thjesht presin, por atyre që kanë vizion, karakter dhe këmbëngulje për ta krijuar atë.
Para dy vjetësh e fituam besimin e qytetarëve. Jo si shpërblim dhe as si privilegj. Por si detyrim. Detyrim për ta nxjerrë shtetin nga ngecja shumëvjeçare, nga ndjenja e mungesës së shpresës dhe nga bindja se asgjë nuk mund të ndryshojë.
Por, për ta kuptuar vlerën e çdo hapi që ndërmerret sot, duhet të rikujtojmë se prej nga nisëm.
Shumë njerëz sot tashmë nuk e mbajnë mend, ndërsa disa me qëllim duan ta harrojnë, gjendjen në të cilën e gjetëm shtetin. Nuk e morëm drejtimin e tij në një kohë stabiliteti dhe as në një kohë sigurie. E morëm në një periudhë kur besimi në institucione ishte dëmtuar seriozisht, kur ekonomia përballej me pasojat e një pasigurie disavjeçare, kur financat publike ishin nën presion të madh, kur investimet kapitale për vite të tëra ekzistonin më shumë si premtime politike sesa si realitet, ndërsa qytetarët gjithnjë e më shpesh pyesnin veten nëse shteti ende kishte fuqi për të ecur përpara.
Nuk nisëm nga çatia.
Nuk nisëm as nga kati i parë.
Nisëm nga themelet.
Sepse, kur themelet janë të lëkundura, gjithçka që ndërtohet mbi to është e përkohshme. Themelet e një shteti nuk janë ndërtesat, nuk janë rrugët dhe as institucionet në vetvete. Themelet janë besimi. Themelet janë siguria juridike. Themelet janë financat publike të qëndrueshme dhe institucionet funksionale. Themelet janë ndjenja e qytetarit se shteti sërish ka një drejtim. Dhe se shteti sërish i përket qytetarit.
Detyra jonë e parë ishte pikërisht kjo – t’i rindërtonim themelet.
Të nderuar deputetë,
Në një pjesë të kësaj salle sot janë ulur edhe njerëzit që për vite me radhë ishin bartës të politikave të pushtetit të kaluar, të cilat e sollën shtetin në gjendjen nga e cila nisëm. Кëta njerëz sot do ta kritikojnë shpejtësinë e ndryshimeve, do t’i nënvlerësojnë rezultatet, do të sajojnë, do të shpikin dhe do t’i nxjerrin gjërat nga konteksti në stil bollshevik. Do të thonë se uji është i lagësht, se lart është lart dhe poshtë është thellë dhe kjo është e drejta e tyre demokratike. Të flasin me demagogji politike, pa ofruar asnjë zgjidhje, ndërkohë që vuajnë nga amnezia kolektive për atë që kanë bërë në të kaluarën.
Por demokracia ka edhe një rregull tjetër, të cilin ata e harrojnë dhe e nënvlerësojnë. Dhe ai është se qytetarët mbajnë mend.
Mbajnë mend se kush për vite me radhë premtonte shumë, ndërsa realizonte pak. Mbajnë mend se kush linte pas probleme të pazgjidhura dhe subvencione të papaguara për muaj të tërë. Mbajnë mend se kush e shpërdoroi besimin e qytetarëve dhe kush sot po e rindërton atë. Mbajnë mend edhe marrëveshjet kriminale, tradhtitë dhe rrënimin e interesave kombëtare. Gjithçka qëndronte në vend, gjithçka rrënohej, përveç lumturisë së tyre personale dhe llogarive të tyre private.
Ne nuk e përmendim të kaluarën për të kërkuar alibi.
As për të gjetur justifikime.
E kaluara është e rëndësishme vetëm për një arsye – që të mos përsëritet më kurrë.
Prandaj, sot nuk flasim për kthim prapa.
Flasim për ecje përpara.
Gjatë dy viteve të fundit, shteti filloi sërish të ecë përpara. Filloi sërish të investojë. Filloi sërish të ndërtojë. Filloi sërish të krijojë besim. Filloi sërish të hapë mundësi.
Por unë sot nuk qëndroj këtu për të thënë se e kemi përfunduar punën.
Përkundrazi.
Sot qëndroj para jush për të thënë se pjesa më e rëndësishme e punës sapo fillon.
Sepse shtetet nuk ndërtohen për dy vjet.
Ato ndërtohen ndër breza.
Dhe çdo brez ka detyrimin të lërë pas një shtet më të mirë se ai që ka gjetur.
Ky është detyrimi ynë.
Ky është detyrimi i kësaj Qeverie.
Dhe pikërisht për këtë arsye, sot para jush nuk qëndron vetëm propozimi për zgjedhjen e ministrave të rinj.
Para jush qëndron një propozim për energji të re.
Për ritëm të ri.
Për një fazë të re në zhvillimin e shtetit.
Për një Qeveri që nuk do të kënaqet me atë që është arritur, por do të jetë e etur për rezultate të reja.
Jo se po heqim dorë nga kursi i deritanishëm.
Por sepse duam që ky kurs të jetë edhe më i shpejtë edhe më efikas dhe edhe më i vendosur.
Në politikë, gabimi më i madh është të mendohet se funksioni është qëllim në vetvete. Për mua, kjo nuk ka qenë kurrë kështu. Funksioni i ministrit nuk është privilegj. Ai është përgjegjësi. Është detyrim ndaj çdo njeriu që pret një jetë më të mirë. Prandaj, secili që është pjesë e kësaj Qeverie e di se i vetmi kriter sipas të cilit do të vlerësohet është ajo që do të bëjë për qytetarët.
Sot para jush propozoj njerëz që vijnë me përvoja të ndryshme profesionale, por me të njëjtin detyrim – të punojnë me ndershmëri, përgjegjësi dhe me vetëdijen se çdo ditë që do ta kalojnë në detyrë u është dhënë nga populli dhe i përket popullit.
Për ministër të Drejtësisë propozoj Jeton Shasivarin, profesor universitar dhe ekspert të dëshmuar juridik. Në një periudhë kur reformat në gjyqësor mbeten një nga çështjet më të rëndësishme për shtetin, pres që njohuritë, integriteti profesional dhe përvoja e tij akademike të vihen në shërbim të një qëllimi – krijimit të një sistemi gjyqësor në të cilin drejtësia nuk do të jetë privilegj, por rregull, ndërsa besimi i qytetarëve gradualisht do të rikthehet aty ku është i nevojshëm.
Për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive propozoj Agon Feratin, një njeri që përvojën e tij profesionale e ka ndërtuar përmes projekteve evropiane, zhvillimit lokal dhe politikave publike. Shteti ynë ka qenë gjithmonë më i fuqishëm kur ka ditur t’i shndërrojë dallimet në përparësi. Prandaj pres që puna e tij të përqendrohet në forcimin e mëtejshëm të kohezionit, besimit dhe partneritetit ndërmjet të gjithë qytetarëve, sepse stabiliteti dhe uniteti janë parakusht për çdo përparim ekonomik dhe shoqëror.
Për ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave propozoj Borçe Serafimovskin, një njeri që e njeh mirë funksionimin e këtij resori. Para tij qëndron detyrimi për të vazhduar politikën e mbështetjes së fuqishme për bujqit, por edhe për të hapur një cikël të ri zhvillimor, në të cilin bujqësia maqedonase do të bëhet më konkurrente, më inovative dhe më rezistente ndaj sfidave bashkëkohore.
Për ministër të Shëndetësisë propozoj Sasho Klekovskin. Shëndetësia nuk është vetëm një sistem institucionesh dhe procedurash. Shëndetësia është besim.
Shëndetësia është ndjenja e sigurisë se, kur njeriu do jetë në situatën më të vështirë, shteti do të jetë pranë tij. Prandaj pres që reformat të vazhdojnë me energji të re, për të siguruar shërbime më cilësore, kushte më të mira për punonjësit shëndetësorë dhe trajtim dinjitoz për çdo pacient.
Për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë propozoj Gjoko Vellkovskin.
Nuk është rastësi që ky resor sot ka edhe emër të ri, edhe përmbajtje të re.
Demografia nuk do të jetë më vetëm temë e konferencave shkencore ose e raporteve statistikore. Ajo po bëhet një nga çështjet më të rëndësishme shtetërore.
Nuk ka ekonomi më të fuqishme pa njerëz.
Nuk ka zhvillim pa të rinj.
Nuk ka të ardhme pa familje të fuqishme.
Për ministër të Vetëqeverisjes Lokale propozoj Ivan Stoillkoviqin.
Gjatë dy viteve të fundit treguam se zhvillimi nuk duhet të përqendrohet vetëm në kryeqytet. E filluam ciklin më të madh investues për komunat, sepse besojmë se cilësia e jetës së qytetarëve matet atje ku ata jetojnë.
Vizioni ynë mbetet i njëjtë.
Çdo komunë të ketë mundësi të zhvillohet.
Për ministër të Kulturës dhe Turizmit propozoj Sedat Sulejmanin.
Kultura është identitet.
Ajo është kujtesa kolektive e një populli.
Ajo është ura që lidh brezat.
Në të njëjtën kohë, turizmi nuk është vetëm degë ekonomike.
Ai është mundësi që bota ta njohë historinë tonë, pasurinë tonë natyrore, trashëgiminë tonë kulturore dhe mikpritjen tonë.
Pres që ky resor të jetë një nga nxitësit e ciklit të ri zhvillimor, sepse shtetet që dinë ta tregojnë historinë e tyre, dinë edhe si të krijojnë vlerë të re.
Për ministër pa portofol propozoj Erxhan Demirin.
Në qeverisjen bashkëkohore, koordinimi është po aq i rëndësishëm sa edhe marrja e vendimeve.
Shtetit i nevojiten institucione që do të funksionojnë si një sistem i vetëm dhe jo si ishuj të ndarë.
Të nderuar deputetë,
Në vitet që vijnë, Maqedonia do të përballet me mundësi të mëdha.
Evropa po ndryshon.
Ekonomia botërore po ndryshon.
Teknologjia po i ndryshon rregullat e lojës.
Shtetet që do të kenë guximin të ndryshojnë do të përparojnë.
Ato që do të mbeten të ngujuara në zakonet e vjetra do të mbeten prapa.
Zgjedhja jonë është e qartë.
Ne nuk do të lejojmë që shteti të jetë sërish një shtet që vetëm i ndjek proceset, por do të jemi një shtet që do t’i udhëheqë ndryshimet në rajon.
Politika është kalimtare.
Funksionet janë kalimtare.
Mandatet janë kalimtare.
Por shteti mbetet.
Dhe për këtë arsye, çdo vendim i yni duhet të merret me vetëdijen se nuk e marrim vetëm për sot, por edhe për vitet që vijnë.
Para nesh ka ende shumë punë.
Do të ketë sfida, kundërshtime dhe përpjekje që çdo sukses të minimizohet, ndërsa çdo problem të paraqitet si disfatë.
Kjo është natyra e politikës.
Por natyra e udhëheqjes shtetërore është ndryshe.
Udhëheqja shtetërore nuk i frikësohet kritikës.
Nuk kërkon rrugë të lehta.
Nuk merr vendime në varësi të faktit nëse ato do të jenë të popullarizuara nesër.
Por në varësi të asaj nëse do të jenë të drejta pas dhjetë vjetësh.
Unë besoj thellësisht se kemi forcën për t’u bërë një shtet evropian i suksesshëm.
Jo sepse dikush do të na e dhurojë atë të ardhme.
Por sepse do ta meritojmë.
Me punë, dije dhe disiplinë. Me institucione të ndershme dhe ekonomi të fuqishme.
Me vetëbesim.
Dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, me besim në mundësitë tona.
Për një kohë tepër të gjatë na kanë bindur se Maqedonia duhet të pajtohet me mediokritetin, na kanë bindur se gjithmonë dikush tjetër do të vendosë për të ardhmen tonë.
Për një kohë tepër të gjatë na kanë bindur se suksesi më i madh është t’i zvogëlojmë pritshmëritë tona.
Unë nuk kam besuar kurrë në këtë.
Besoj në një popull që shumë herë ka treguar se di të ngrihet atëherë kur është më së vështiri; në punëtorin që zgjohet para lindjes së diellit.
Në bujkun që, pavarësisht të gjitha sfidave, e punon sërish tokën e tij.
Në mjekun që shpëton jetë.
Në mësuesin që edukon breza të rinj.
Në policin që kujdeset për sigurinë.
Në ushtarin që mbron atdheun.
Në sipërmarrësin që rrezikon kapitalin e vet për të hapur një vend të ri pune.
Në të rinjtë që ende besojnë se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë këtu.
Tek ata qëndron forca e Maqedonisë.
Jo te politikanët, as te Qeveria.
Por te populli.
Prandaj, edhe detyra jonë është e thjeshtë.
Të mos jemi pengesë për suksesin e tyre.
Por aleati i tij më i fuqishëm.
Të nderuar deputetë,
Sot nuk kërkoj nga ju besim për individë.
Nuk kërkoj besim për asnjë parti politike.
Kërkoj besim për vazhdimin e një procesi.
Një proces në të cilin shteti u ngrit sërish në këmbë, në të cilin i rindërtuam themelet dhe në të cilin treguam se Maqedonia mund të ndërtojë, të krijojë dhe të fitojë përsëri.
Jam i bindur se vitet më të mira nuk janë pas nesh. Ato janë para nesh.
Por ato nuk do të vijnë vetvetiu.
Një ditë, kur historia të na gjykojë, nuk do të pyesë se kush ishte në pushtet dhe kush në opozitë.
Nuk do të pyesë se kush fitoi në debatet e përditshme politike.
Do të bëjë tri pyetje:
A ishim të denjë për kohën që na ishte besuar?
A lamë pas një shtet më të fuqishëm se ai që gjetëm?
A u dhamë fëmijëve tanë më shumë mundësi sesa kishim ne vetë?
Unë besoj se përgjigjja është po.
Besoj sepse e shoh forcën e popullit tonë, sepse e shoh vullnetin e njerëzve që çdo ditë punojnë për këtë shtet.
Besoj sepse e di se Maqedonia ka qenë gjithmonë më e fuqishme atëherë kur ka ditur të bashkohet rreth qëllimeve të mëdha.
Prandaj, sot ju bëj thirrje që ta vazhdojmë këtë mision.
Me më shumë urtësi sesa mendjemadhësi.
Me më shumë unitet sesa përçarje.
Dhe me bindjen e palëkundur se detyrimi ynë më i madh nuk është ndaj këtij brezi politikanësh, por ndaj brezave të ardhshëm të qytetarëve maqedonas.
Le të thonë ata një ditë se kjo ishte koha kur Maqedonia besoi në vetvete. Koha kur ndaloi së kënaquri me pak dhe filloi të synonte qëllime të mëdha. Koha kur shteti nuk ishte vetëm një vend ku jetohej, por një ide në të cilën besohej sërish.
Ky është vizioni që ofrojmë. Ky është detyrimi që marrim përsipër. Dhe kjo është e ardhmja për të cilën ia vlen të punojmë – së bashku.
Rroftë Maqedonia!

