Maqedoni

Liqeni Treska mbetet në harresë

Shpërndaje

“Me dekada të tëra, Liqeni Treska i cili ka qenë njëri nga vendet më atraktive në kryeqytet, vazhdon të mbetet jo funksional edhe pas premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve. Nga Komuna e Sarajit thonë se tani procedurat po zvarriten nga pushteti qendror”, raporton gazetari i Alsat, Mefail Ismaili.

Premtimet për ndërtimin vendosjen në funksion të Liqenit, bëhen çdo vit. ndërsa tani institucionet i hedhin përgjegjësitë tek njëra tjetra. Kryetari Blerim Bexheti, thotë se Komuna e Sarajit i ka kryer të gjitha procedurat për të cilat është kompetente. Përgjegjësitë për zvarritje i hedh tek Agjencia e Turizmit.

“Komuna e Sarajit që moti i ka kryer obligimet, ka informuar Agjencinë për Përkrahje dhe Zhvillim të Turizmit në Kuadër të Qeverisë së RMV-së, gjegjësisht të Ministrisë së Ekonomisë, me sa kam informacion unë në bazë të ligjit, të gjitha institucionet që janë të implikuara kanë deleguar anëtarët e vetë, tani presim që të bëhet mbledhja e parë konstituive e këtij Komisioni që në formë të ligjit është bartës i këtij projekti të mëtutjeshëm… Tani më ata janë bartës të projektit për realizimin, gjithsesi edhe unë jam i interesuar dhe e ndjek dhe unë mendoj që mundet edhe më shpejt”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunë së Sarajit.

Por drejtori i Agjencisë për Promovimin dhe Zhvillimin Turizmit, Lupço Janevski thotë se vonesat e procedurave për Liqenin Treska janë bërë pikërisht nga komuna dhe institucionet tjera relevante. Ai tha se nga Ministria e Transportit më datë 22 Qershor të këtij viti i kanë dërguar të dhënat e plota për anëtarin që do e përfaqësojë këtë komision.

“Në muajin prill të vitit 2021 Agjencia për promovimin dhe mbështetjen e Turizmit, kishte afat prej 15 ditës sipas Ligjit, që deri tek institucionet të cilat janë të parashikuara në Ligjin për Zonat zhvillimore turistike të dërgojë kërkesë për anëtarë përfaqësues për formimin e një komisioni. Arritëm që deri dje ti marrim të gjitha nominimet. Në fakt edhe në Komunën e Sarajit është bërë kërkesë në prill të vitit 2021, ndërsa e ka dorëzuar propozimin e saj për anëtar dhe zëvendës anëtar në vitin 20.05.2022. Ka pasur institucion që tepër janë vonuar edhe krahas disa intervenimeve tona”, theksoi Lupço Janevski, drejtor i Agjencisë për Turizëm.

Drejtori Janevski, thotë se është e paparashikueshme periudha se kur do të fillojë ndërtimi i Liqenit Treska dhe vendosja e tij në funksion. Ai nënvizon se procedurat mund të zgjasin me vite. Liqeni Treska në Komunën e Sarajit, është ndërtuar në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar me vetë kontribut të Qytetarëve të Shkupit dhe ka pasur rreth 10 mijë vizitor në ditë. Por me dekada të tëra, ky liqen mbetet jofunksional./ Alsat.mk