Maqedoni

Në mars paga minimale rritet për rreth 2000 denarë/ Sa do të ndihmojë kjo për rritjen e standardit jetësor!?

Shpërndaje

Rreth 20.000 mijë denarë pritet të jetë paga minimale nga marsi i këtij viti. Por, sa kjo rritje do të ndikojë në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve që marrin page minimale? Sipas ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, rritja e pagës do të ndjehet pavarësisht rritjes së çmimeve.

“Nuk besoj se para 5 viteve çmimet kanë qenë 100% më lirë duke i krahasuar me çmimet aktuale. Për këtë flasin zyrtarisht edhe të gjitha të dhënat. Maksimumi ka rritje prej 20-30%, për këtë Enti Statistikor doli me të dhëna para disa ditëve. Ndërsa paga minimale është rritur për 100% dhe është fat dhe atë e ndjejnë qytetarët të cilët në atë kohë për fat të keq kanë marrë page minimale prej 150 eurove.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Por, sipas profesorit të ekonomisë Abil Baushi qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flet për rritje të shpenzimeve, ose për rritjen e pagave dhe nga ana tjetër për parametrin ekonomik të daljes nga inflacioni.

“Inflacioni e han pagën e qytetarëve edhe atë në përqindje jashtëzakonisht të madhe. Ne vitin e mbaruam me inflacion 14.5 / 6, kurse çmimet e produkteve bazë mbaruan në cifra alarmante 20%. Pra, standardi jetësorë gjithmonë do të pësojë kur kemi recension. Ne kemi recension dhe këtë duhet ta pranojmë. Pra ne jemi në një situate të krizës.”- pohoi Abil Baushi – Profesor i Ekonomisë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut ende është në inflacion dyshifror, ndërsa pritet që ky inflacion të ulet nga prilli. Megjithatë, sipas profesorit Abil Baushi duhet të bëhet plan jashtëzakonisht i mirë që të mund në një mënyrë të kontrollohet inflacioni dhe nga ana tjetër të rritet standardi jetësor i qytetarëve.