Shkollat e Tetovës ankohen për mungesë tekstesh
Shkollat e Tetovës ditë më parë janë furnizuar me tekste shkollore, por sektori i arsimit në komunë thotë se librat nuk kanë plotësuar mungesën. Furnizimi nga Ministria e Arsimit erdhi pas peticionit të prindërve dhe nxënësve të shkollave fillore. Drejtuesi i Sektorit për Arsim në Tetovë, këmbëngul në miratimin e kërkesës së komunës që t`i jap pëlqimin komunës që të merren me problemin e librave.
“Mungesa e librave është 23100 në gjuhën shqipe, 2934 të gjuhës maqedonase dhe 1525 në gjuhën turke. Me sa di unë, janë sjellë disa libra nga lënda e matematikës, gjuhës shqipe dhe shkencat natyrore. Ne edhe më herrët kemi kërkuar nga Ministria që nëse ata nuk i furnizojnë me libra nxënësit e fillores, të na japin leje që ne si komunë të bëjmë furnizimin e tyre, por nuk kemi ende as leje e as përgjigje nga ministria e Arsimit”, u shpreh Validin Ademi, Drejtues i Sektorit për Arsim komuna e Tetovës.
Ndërkohë Ministria e Arsimit përmes një reagimi peticionin për tekstet shkollore e cilëson si të pa bazë dhe të ndikuar politikisht.
“Ministria e Arsimit vlerëson se prindërit e nxënësve të shkollave fillore në komunën e Tetovës mënyrë të pabazë thirren që të nënshkruajnë peticion për të kërkuar pajisjen me tekste shkollore. Të dhënat tregojnë se komuna e Tetovës ka pasur tirazhin më të madh të teksteve shkollore këtë vit shkollor, krahasuar me atë që ka kërkuar vetëqeverisja lokale. Konkretisht, nga 52,884 tekste të kërkuara, janë dorëzuar 42,000 tekste shkollore”, thuhet në reagimin e MASH-it.
Nxënësit në shkollat e gjithë vendit kanë mungesë të teksteve të caktuara që nga fillimi i vitit shkollor. Mësimin po e zhvillojnë me libra të kopjuar por edhe me shënime. /Alsat.mk