Liderët botërorë urojnë presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje

Shpërndaje

Lidërët e Katarit, Hungarisë, Somalisë dhe Pakistanit ishin ndër krerët e parë të vendeve që uruan presidentin Recep Tayyip Erdoğan për rizgjedhjen e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi Erdoğan aktualisht kryeson në zgjedhje me 53,41 për qind të votave, transmeton Anadolu.

“Vëllai im i dashur, ju përgëzoj për fitoren tuaj dhe ju uroj sukses në mandatin tuaj të ri, të arrini atë që populli vëlla turk aspiron në aspektin e përparimit dhe prosperitetit”, shkroi në Twitter Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Al-Thani.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu e përgëzoi presidentin Erdoğan për, siç shkroi ai në Twitter, “fitoren e tij të padiskutueshme në zgjedhje”.

Gjithashtu edhe zyra e presidentit të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, e uroi presidentin Erdoğan, duke shkruar në gjuhën turke, “Urime Türkiye vëllazërore dhe miqësore”.

Ndërkaq, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në mesazhin e tij të urimit e përshkroi presidentin Erdoğan si “një nga liderët e paktë botërorë, politika e të cilit është ankoruar në shërbimin publik”.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se sipas 75,42 për qind të votave të numëruara në mbarë vendin, Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 për qind të votave.

Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.

Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën në qendrat e votimit në mbarë Türkiyen.

Më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave në raundin e parë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.