MaqedoniTop Lajme

Qeveria teknike, Kuvendi konstatoi dorëheqjet

Shpërndaje

Opozita ju gëzua konstatimit të dorëheqjes së qeverisë dhe dorëheqjes së kreut të deritanishëm të Kuvendit. Ndërkohë pushteti, tha se ndryshimi që po bëhet është një hap tjetër drejt zhvillimit të vendit.
Me këtë, shumica me 64 vota “për” votoi zgjedhjen e Jovan Mitrevskit si kryetar të ri të Kuvendit. Ai vjen në vendin e kreut të deritanishëm Talat Xhaferit.

“Qytetarët e vendit meritojnë t’i udhëheqin njerëz me integritet të cilët prioritet do të kenë të ardhmen me prosperitet të vendit dhe jo interesat e ngushta partiake. Jam i bindur se kjo vendosmëri për të siguruar një standard dhe të ardhme më e mirë për qytetarët tanë, kushte për përparim të të rinjve, për të siguruar kushte evropiane këtu në vendin tonë, do të njihet dhe do ta vlerësohet nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare”, tha Martin Kostovski, LSDM.

VMRO-DPMNE-ja thotë se pushteti shkatërrues shtatëvjeçar është drejt fundit. Opozita votoi kundër zgjedhjes së Mitrevskit.

“Sot është ditë e madhe. Dita në të cilën kjo qeveri ngadalë por sigurt, pjesë pas pjese, funksionar pas funksionari vazhdon të rrënohet si shtëpi letre. Ky proces filloi dje me Kovaçevskin, vazhdon sot dhe do të mbarojë në ditën e zgjedhjeve në maj. Seanca e sotme është vazhdim i fundit të pafat të kësaj qeverie e cila në shtatë vitet e fundit e shkatërroi shtetin, i shkatërroi dhe privatizoi institucionet, i varfëroi qytetarët, e rrëzoi ekonominë në gjunjë…”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

E Majta në sallë solli një mesazh në të folurën e Strugës, qytetit të lindjes së Mitrevskit.

“Mik Jovçe, edhe peshkun e artë të kishe kapur në liqen, nuk do të të kishte shkuar mendja që ndonjëherë në jetë do të bëheshe kryetar i Kuvendit. Shijoi mik 100 ditët e ardhshme dhe sillu si faraon, më keq se Talati. Kur të kthehesh në Strugë me xhepat plot, peshkun mos ja jep sherifit Merko nga BDI-ja sepse është në listën e zezë të Amerikës. Lëshoje në liqen dhe le ta kapë Pecakov nga VMRO-ja. Atij do t’i duhet meqë rregullon shumë tenderë”, tha Dimitar Apasiev, kryetar i Të Majtës.

Pas marrjes së mandatit, Mitrevski tha se do të jetë kryetar i barabartë për të gjithë deputetët.

“Besoj se bashkë do të vazhdojmë ta përforcojmë demokracinë sepse për demokracitë e reja si kjo e jona kjo është e rëndësishme ta bëjmë secilën ditë. Mbetem i hapur për bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare për aq kohë sa shoh, mendoj dhe ndjej se ajo që bën pala e kundërt është në interes të shtetit dhe të qytetarëve”, u shpreh Jovan Mitrevski, kryetar i ri i Kuvendit.

Mungesën e tyre në sallë e kishin njoftuar deputetët e opozitës shqiptare Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Safije Sadiku Shahini, Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi./Alsat.mk