Blinken: Do të vazhdojmë ta ndihmojmë dhe mbështesim Shqipërinë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u takua me zyrtarë të lartë të vendit, si presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, raporton Anadolu.
Pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama dhe Blinken zhvilluan një konferencë për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, zhvillimet në rajon, konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera.
Rama: SHBA-ja do të mbetet mbështetëse e palëkundur e njohjes përfundimtare të Kosovës
Në fjalën e tij në konferencë, Rama tha se kanë diskutuar për dimensionet e bashkëpunimit bilateral, i cili sipas tij është jo vetëm një bashkëpunim strategjik i pandërprerë në fushën e sigurisë, por është edhe një bashkëpunim që po merr gjithmonë e më shumë një përmasë edhe ekonomike.
“Më vjen shumë mirë që kjo vizitë koinçidon dhe me përfundimin e misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit (të OKB-së) dhe i shpreha sekretarit të Shtetit falënderimin për mbështetjen e paçmuar që patëm nga SHBA-ja dhe nga misioni i SHBA-së në OKB për praninë tonë në Këshill dhe për suksesin e misionit tonë në dy vitet që qëndruam si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit”, tha Rama.
Rama tha se me kryediplomatin amerikan kanë folur për rajonin, ku sipas tij kanë ndarë të njëjtat pikëpamje dhe të njëjtat shqetësime. “Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Ne jemi investuar dhe do të investohemi me vendosmëri që rajoni si i tërë të shkojë përpara se në radhë të parë është në interesin tonë strategjik, është në interesin e popullit tonë që ta shikojë Bashkimin me Evropën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë dhe qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve, të vendeve demokratike dhe sigurisht që e kemi nxitur, e nxisim dhe do vazhdojmë ta nxisim dialogun e pazëvendësueshëm me asgjë tjetër mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ai shtoi se përsërit apelin për autoritetet e Prishtinës “që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë”.
Për situatën dhe konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme, Rama tha: “Sigurisht që situata është tragjike sepse nga njëra anë, Izraeli ka të drejtën e vet legjitime për t’u vetëmbrojtur, por nga ana tjetër, shkatërrimi dhe humbja e jetës nga ana e palestinezëve janë shumë më tepër, janë shumë më shumë sesa ç’mund të pranohet një përshkallëzim i mëtejshëm. Në fakt, problemi me përshkallëzimin është se nuk është një veprim, i cili në fund, në vetvete, do të shkatërrojë Hamasin apo do të fshijë çdo formë Hamasi që mund të çelë apo të rritet nga rrënojat. Sigurisht, e vetmja rrugë është zgjidhja me dy shtete”.
“Reformimi kësisoj i politikës palestineze, nevoja për një organizëm që do të përfaqësonte të gjithë shoqërinë palestineze e do të ishte një bashkëbiseduese e besueshme për të gjitha palët e përfshira nga njëra anë e nga ana tjetër, përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve arabe që janë më të interesuara dhe në të njëjtën kohë edhe potencialisht më të ekspozuara nga shkallëzimi i konfliktit për të krijuar një forcë të përbashkët që së bashku me Türkiyen dhe me disa garanci të Shteteve të Bashkuara, do të sigurohet që ai që mund të jetë shtet palestinez nuk do të shihet sërish si kërcënim për Izraelin. Sigurisht, të gjitha këto, pa lirimin e pengjeve tingëllojnë krejt të pagjasa”, u shpreh Rama.
– Blinken: Ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se çka qenë ndonjëherë
Blinken tha se SHBA-ja dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të jashtëzakonshme partneriteti she shtoi se do të vazhdojnë ta ndihmojnë dhe ta mbështesim Shqipërinë “në këto hapa të rëndësishëm përpara që janë tepër të rëndësishëm në anëtarësimin në BE dhe gjithashtu është ajo që populli i Shqipërisë meriton”.
“Ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se çka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne është në fakt kritike për të adresuar disa çështje që janë vendimtare për popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime dhe jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin në mënyrë që të përfitojë si populli shqiptar ashtu edhe populli në SHBA, madje edhe përtej, dhe si aleat kyç i NATO-s, si një zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Blinken.
Ai tha se Shqipëria ka qenë që nga dita e parë një mbështetje shumë e fortë e Ukrainës dhe shtoi se përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën.
“Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Të 31 aleatët tanë që së shpejti do të bëhen 32 aleatë të NATO-s, do të sjellin përvoja të ndryshme, gjeografi të ndryshme, aftësi të ndryshme, kapacitete të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim në fakt të fortë, të hekurt, i cili është të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe gjithashtu të sakrifikojmë, madje në vitin e fundit çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes si 2 për qind i PBB-së”, tha ai.
Blinken theksoi se në “vazhdën e sulmeve kibernetike të fundit iraniane që synonin infrastrukturën kritike të Shqipërisë”, SHBA-ja ka ndihmuar gjithashtu që të trajnojnë ekspertë për të përmirësuar pajisje dhe përmirësuar teknologjinë.
“Dëshiroj ta falënderoj gjithashtu kryeministrin (Rama) për diçka që është e afërt pranë zemrës time, por gjithashtu edhe zemrës së kaq shumë amerikanëve dhe kjo është bujaria e jashtëzakonshme që populli shqiptar e ka treguar ndërsa ka mikpritur me mijëra e mijëra të evakuuar afganë sepse Shqipëria ishte vendi i parë në botë që ofroi ta bënte këtë. Gjithashtu pata mundësinë që më herët sot të takoja disa prej personave të evakuuar afganë në Shqipëri dhe ata janë në proces të marrjes së vizave të posaçme të emigrimit”, tha ai.
I pyetur për situatën dhe konfliktet fundit në Gaza dhe mbi negociatat për të ndalur konfliktet, Blinken tha: “Për sa i përket çështjes së pengjeve, ne kemi dhënë një propozim që përmbledh atë që Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë që të punojnë me Izraelin dhe që është një propozim i cili është bërë bashkërisht. Gjithashtu ofron mundësinë që të punojmë drejt një marrëveshjeje. Tashmë jemi në një proces së bashku me partnerët tanë të Katarit, Egjiptit dhe të Izraelit për të punuar për këtë dhe duke punuar në mënyrë shumë intensive së bashku me qëllimin që mund të gjejmë një marrëveshje, një dakordësi dhe besoj që kjo është e mundur. Ne e dimë se si duket suksesi, e kishim atë kur patëm mundësinë të bënim marrëveshjen e parë. Nëse mund të arrihet një marrëveshje tjetër sigurisht ofron perspektivën e asaj që duhet bërë që është në krye të listës tonë, që është në fakt që pengjet të kthehen në shtëpi, por edhe të mund të kemi një pauzë më të gjatë.”
Mbi procesin e normalizimit mes Kosovës dh Serbisë, kreu i diplomacisë amerikane tha se “Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhur dhe madje shtegu i vetëm i duhur dhe ne jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet, që mundemi, në mënyrë që të mbështesim të dyja vendet ndërsa ata përshkojnë këtë shteg. Mbështesim në fakt dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Ndërkohë, në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në takimin Begaj-Blinken u bisedua “për rëndësinë e marrëdhënieve strategjike dypalëshe, për zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimin në krah të aleatëve në NATO-s”.
Rama dhe Blinken zhvilluan edhe një takim me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative të SHBA-së.
Gjithashtu mes Shqipërisë dhe SHBA-së u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi: Memorandum Mirëkuptimi për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright dhe Memorandum Mirëkuptimi për Kundërshtimin e Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj, që u nënshkruan nga sekretari Blinken dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani.