MaqedoniTop Lajme

Spiropali, Fetai dhe Mexhiti vendosin kurora pranë shtatores së Skënderbeut në Shkup

Shpërndaje

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, së bashku me zv/kryeministrin Arben Fetai, kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti, deputetin Bekim Sali dhe ministrin e Ekonomisë, Besar Durmishi, nderuan figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeun në Shkup, duke vendosur kurora me lule pranë shtatores së tij, njofton albazone media.

Postimi nga Fetai:
Sot, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, vazhduam me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, në ceremoninë solemne të vendosjes së kurores me lule pranë shtatores së Skënderbeut.
Në këtë ngjarje me domethënie të veçantë, bashkë me miqtë e mi, Kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti, Deputetin Bekim Sali, dhe Ministrin e Ekonomisë Besar Durmishi, nderuam figurën e heroit tonë kombëtar dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar identiteti ynë.
Ishte një moment reflektimi dhe respekti për historinë tonë dhe për sakrificat që kanë bërë brezat para nesh. Ngjarje të tilla na kujtojnë se respekti për të kaluarën dhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë themel i një të ardhmeje më të bashkuar dhe më të fortë.

Postimi nga Mexhiti:
Me nderim të veçantë, sot mirëpritëm në Shkup znj. Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Bashkë me znj. Elisa Spiropali, ndaluam në Sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Pranë bustit të tij, vendosëm lule, duke shprehur respektin tonë ndaj historisë sonë të përbashkët dhe ndaj figurës që mishëron identitetin, qëndresën dhe unitetin shqiptar. Ishte moment që na kujton se vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga jonë kombëtare duhet të mbeten udhërrëfyes edhe sot, në kohë sfidash dhe përgjegjësish të reja.
Me këtë frymë, vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të forcojmë lidhjet që na bashkojnë si shtete dhe si politikë.