Lajm i mirë për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme
Ligji i ri për burimet e ripërtëritshme të energjisë: Reforma që ndryshon të ardhmen energjetike të Maqedonisë – komunitete energjetike, mbrojtje më e madhe për qytetarët dhe mbështetje e fuqishme për investimet.
U miratua Ligji i ri për shfrytëzimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, me ç’rast Maqedonia ndërmori një nga hapat më të rëndësishëm reformues në sektorin e energjetikës gjatë dekadave të fundit. Për herë të parë, burimet e ripërtëritshme të energjisë rregullohen me një ligj të veçantë (Lex specialis), i cili vendos një kornizë moderne, të harmonizuar me standardet evropiane dhe të parashikueshme ligjore për zhvillimin e energjisë së pastër.
Me miratimin e këtij ligji, shteti dërgon një mesazh të qartë se burimet e ripërtëritshme të energjisë po bëhen një nga shtyllat kryesore të politikës kombëtare energjetike, me synim forcimin e sigurisë energjetike, uljen e varësisë nga importi i energjisë, hapjen e një cikli të ri investimesh dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.
Me këtë Ligj, në legjislacionin kombëtar transpozohen rregullat më të reja evropiane, përfshirë Direktivën për promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, harmonizimi dhe miratimi i së cilës përbën pjesë të Agjendës së Reformave. Në kuadër të procesit të tranzicionit energjetik parashikohen masa dhe aktivitete të orientuara drejt diversifikimit të modelit ekonomik përmes zhvillimit të bazuar në dije dhe përdorimit më efikas të burimeve, nxitjes së investimeve, zhvillimit të infrastrukturës së gjelbër dhe inteligjente, energjisë së pastër dhe zhvillimit të aftësive, si dhe uljes graduale të varësisë nga lëndët djegëse fosile.
Zgjidhja e re ligjore ka për qëllim të forcojë sigurinë e furnizimit me energji, të mundësojë përmbushjen e detyrimeve të marra me ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit, të kontribuojë në arritjen e objektivave kombëtare detyruese për pjesëmarrjen e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme në konsumin bruto përfundimtar të energjisë, si dhe të sigurojë përputhshmëri me dokumentet strategjike dhe planifikuese kombëtare në fushën e energjetikës, përfshirë edhe Planin Kombëtar të Integruar për Energji dhe Klimë.
Ligji është strukturuar në 16 kapituj, me të cilët rregullohen kompetencat e institucioneve, objektivat kombëtare për energjinë e ripërtëritshme, masat mbështetëse, garancitë e origjinës, statusi i konsumatorit-prodhues, komunitetet energjetike, përdorimi i burimeve të ripërtëritshme në sektorët e ngrohjes, ftohjes dhe transportit, bashkëpunimi ndërkufitar, licencimi dhe mbikëqyrja.
Ndër risitë më të rëndësishme është futja e mekanizmit modern evropian të kontratës dykahëshe për diferencën e rregullimit të tregut (Two-way Contract for Difference). Ky model siguron parashikueshmëri financiare për investitorët, garanton të ardhura minimale për prodhuesit dhe njëkohësisht mundëson kufizimin e fitimeve të tepërta në kushtet e çmimeve të larta të tregut, duke krijuar kështu mbrojtje shtesë për qytetarët dhe ekonominë.
Ligji vendos një sistem transparent, jodiskriminues dhe konkurrues për dhënien e masave mbështetëse përmes tarifës preferenciale dhe primit të tregut, duke mundësuar përdorim më efikas të burimeve të ripërtëritshme, tërheqjen e investimeve të reja, nxitjen e sipërmarrjes, hapjen e vendeve të reja të punës dhe futjen e teknologjive moderne.
Ligji për herë të parë rregullon edhe mekanizmat e matjes neto (Net metering) dhe llogaritjes neto (Net billing), duke krijuar kushte që familjet, kompanitë dhe institucionet të prodhojnë, përdorin dhe menaxhojnë në mënyrë aktive energjinë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.
Për herë të parë vendoset edhe një kornizë e qartë ligjore për krijimin dhe funksionimin e komuniteteve energjetike të qytetarëve, përmes të cilave qytetarët, komunat dhe kompanitë do të mund të bashkohen vullnetarisht për prodhimin, ruajtjen, konsumimin dhe shitjen e përbashkët të energjisë elektrike, si dhe për realizimin e projekteve lokale energjetike që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta ekonomike, ekologjike dhe sociale.
Ligji gjithashtu forcon më tej kornizën kombëtare për garancitë e origjinës së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme. Me miratimin e tij krijohen kushte që operatori kombëtar i tregut të energjisë elektrike, MEMO SHPK, të bëhet anëtar i plotë i Asociacionit Evropian të Organeve Lëshuese (AIB) dhe të lidhet me AIB HUB – rrjetin evropian për tregtinë ndërkufitare me garanci të origjinës. Kjo do t’u mundësojë prodhuesve maqedonas të energjisë së gjelbër që garancitë e tyre të origjinës të njihen dhe të tregtohen në tregun evropian, duke përbërë një hap të rëndësishëm drejt rritjes së konkurrueshmërisë dhe integrimit në sistemin evropian të energjisë.
Gjithashtu, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, do të fillojnë aktivitetet për krijimin e një platforme ankandesh për tregtimin me garanci të origjinës, me çka sistemi do të bëhet plotësisht funksional.
Pritet që me ligjin të sigurohet:
1. ulje afatgjatë e varësisë nga importi i energjisë dhe burimeve energjetike;
2. rritje e pjesëmarrjes së BRE-ve (burimeve të ripërtëritshme të energjisë) në konsumin bruto përfundimtar të energjisë;
3. rritje e sigurisë së furnizimit me energji për konsumatorët përfundimtarë;
4. diversifikimi i prodhimit të energjisë;
5 arritja e objektivave klimatike dhe energjetike për periudha të caktuara nga Plani Kombëtar i Integruar për Energji dhe Klimë.;
6. ulje e përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe e emetimeve të gazrave serrë, si dhe rritje e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike;
7. ndarja e masave mbështetëse për investime në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme në mënyrë transparente, jodiskriminuese, konkurruese, ekonomike dhe efikase, në përputhje me dokumentet strategjike dhe planifikuese në fushën e energjetikës ;
8. zhvillimi i sipërmarrjes dhe krijimi i vendeve të reja të punës që lidhen me prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE);
9. mbështetja e zhvillimit dhe përdorimit të teknologjive të reja dhe nxitja e konsumatorëve për përdorim dhe prodhim më të madh të energjisë nga burimet e ripërtëritshme për nevojat e tyre personale.
Me miratimin e Ligjit për burimet e ripërtëritshme të energjisë, Maqedonia vendos një kornizë moderne ligjore që krijon siguri më të madhe juridike për investitorët, mundësi të reja për qytetarët dhe kompanitë, procedura institucionale më efikase dhe harmonizim të plotë me politikat evropiane në fushën e energjisë së ripërtëritshme. Një themel mbi të cilin do të ndërtohet energjetika e re maqedonase – më e pastër, më konkurruese, më e qëndrueshme dhe më e sigurt për qytetarët, ekonominë dhe gjeneratat e ardhshme.

