RajoniTop Lajme

OVL-UÇK reagon pas caktimit të datës së aktgjykimit: Shtyrjet janë të padrejta

Shpërndaje

OVL-UÇK ka reaguar pas njoftimit të Dhomave të Specializuara se aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00.

Në reagimin e saj, organizata e ka cilësuar caktimin e kësaj date si “raundin e radhës të poshtërimit publik” ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e konsideruar procesin të padrejtë dhe të papranueshëm.

Sipas OVL-UÇK-së, shtyrjet e njëpasnjëshme të shpalljes së aktgjykimit, të arsyetuara me vëllimin dhe kompleksitetin e çështjes, dëshmojnë se procesi “është në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj”, me synimin, siç pretendohet në reagim, për ta vënë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërsa “amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit serb”.

Organizata thekson se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës për lirinë e Kosovës dhe kritikon edhe qasjen e disa qarqeve ndërkombëtare, për të cilat thotë se kanë krijuar pengesa ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe zhvillimit të vendit.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK paralajmëron intensifikim të veprimeve, duke bërë të ditur se rezistenca do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, pa përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse, sipas saj, zëri i tyre vazhdon të injorohet.