Thahet lumi më i gjatë i Francës, kthehet në “shkretëtirë”
Vala rekord e të nxehtit që ka përfshirë Europën Perëndimore po lë pasoja të rënda, ndërsa në Francë lumi Loire, më i gjati në vend, është tharë në disa zona dhe është shndërruar në një peizazh që i ngjan shkretëtirës. Temperaturat ekstreme kanë përkeqësuar thatësirën, kanë favorizuar zjarret masive dhe kanë vënë në alarm autoritetet në disa shtete europiane.
Pamjet nga Montjean-sur-Loire tregojnë shtratin e lumit të mbuluar nga rëra, ku kanë mbetur vetëm disa pellgje të izoluara uji. Situatë e ngjashme është regjistruar edhe në lumin Doubs, i cili në disa segmente është tharë pothuajse plotësisht.
Sipas të dhënave të shërbimit europian Copernicus, qershori i këtij viti ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore, me një temperaturë mesatare 3 gradë Celsius mbi normalen. Franca shënoi gjithashtu ditën më të nxehtë të historisë së saj, me termometrin që arriti në 44.3 gradë Celsius.
Temperaturat e larta kanë shkaktuar mbylljen e shkollave, ndërprerje të energjisë elektrike për dhjetëra mijëra familje dhe mbi 2.000 viktima vetëm në Francë. Në disa rajone janë vendosur kufizime të rrepta për përdorimin e ujit, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin ujitjen e kopshteve, larjen e automjeteve dhe mbushjen e pishinave private.
Ndërkohë, qindra zjarrfikës vijojnë betejën me flakët në Francë, Spanjë, Portugali dhe Greqi, ku zjarret kanë përfshirë dhjetëra mijëra hektarë tokë dhe kanë detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive. Sipas tyre, temperaturat po përforcohen edhe nga një masë ajri shumë e nxehtë që vjen nga Sahara, duke krijuar të ashtuquajturën “kupolë nxehtësie” mbi Europën Perëndimore.
Ekspertët paralajmërojnë se vera sapo ka nisur dhe se muajt në vijim pritet të sjellin rreziqe edhe më të mëdha për njerëzit, ekosistemet dhe infrastrukturën në mbarë kontinentin.

