Maqedoni

Votohet buxheti për referendumin, nuk do të ketë honorare për anëtarët e KSHZ-së

Shpërndaje

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) nuk do të marrin honorare për organizimin dhe mbajtjen e referendumit, ashtu siç kishin vepruar anëtarët paraprak, të cilët pikërisht për këtë arsye u detyruan edhe të japin dorëheqje.

Në seancën e sotme u miratua plani për shpenzimet për organizimin e KSHZ-së ku u parashikuan 169 milion denarë, apo 20 për qind më pak sesa ka ndarë Kuvendi me rialokimin e fundit.

Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski tha se shuma që do të shpenzohet për këshillat zgjedhorë në diasporë nuk dihet pasi priten njoftimet nga përfaqësitë diplomatike për kapacitetin e nëpunësve që posedojnë e te cilët planifikojnë t’i angazhojnë në referendum.

Derkovski gjatë diskutimit për shumën që do të shpenzohet njoftoi se nuk janë paraparë honorare apo të ashtuquajtura bonuse për 7 anëtarët e KSHZ-së. Honorarë do të ketë vetëm për komisionet komunale zgjedhore dhe këshillat zgjedhor.