Ndryshe nga paraqitjet e zakonshme sportive, tri kampionet e arta të Pejës mahnitën me elegancën e tyre në paraqitje solemne
Sot është inauguruar “Qendra Nacionale e Xhudos”, e cila gjendet në Pejë, e ku në inaugurim morën pjesën edhe presidenti Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, drejtuesit e xhudos kosovare si dhe sportistët e këtij sporti.
Të pranishme në inaugurim ishin edhe tri vajzat e arta të Pejës: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.
Tri fitueset e medaljeve të arta olimpike treguan fare qartë se pika e tyre e fortë nuk është vetëm sporti, por edhe eleganca dhe shija për të zgjedhur veshjen e duhur me kujdes në paraqitje të tilla solemne si kjo e sotmja.
Të tri vajzat bukuroshe dukeshin bukur dhe me stil në këtë event, ndryshe nga petku i zakonshëm i veshjeve sportive me të cilat jemi mësuar t’i shohim nëpër garat sportive.
Kampionia e parë fituese e medaljes olimpike, Majlinda Kelmendi, kishte zgjedhur që për rastin të vishej me një kostum ngjyrë blu, i cili i dha një pamje të freskët dhe mjaft elegante gjatë përurimit.
Ndryshe nga Majlinda, Nora Gjakova kishte zgjedhur një fund të zi dhe të gjatë deri tek gjunjët, kombinuar me një korse të bardhë në formë fluture te pjesa e dekoltesë.
E më e vogla ndër to, Distria Krasniqi, nuk dukej më pak magjepsëse sesa shoqet, pasi edhe ajo kishte zgjedhur me kujdes veshjen e saj në këtë paraqitje.
Krasniqi dukej po aq elegante dhe me shkëlqim në një fustan me sako të bardhë, i cili theksoi mjaftueshëm vijën e saj trupore dhe tiparet prej biondeje.
Të tri vajzat kampione që i kanë bërë krenarë shqiptarët me sukseset e tyre anë e mbanë globit, nuk i lanë për asnjë moment njerëzit të mendon se kjo paraqitje e tyre ishte gati për ndonjë tapet të kuq në Hollywood.