Rajoni

Atentati në Fier, ekspertiza: U hodh në erë me një telefonatë

Shpërndaje

Del ekspertiza lidhur me atentatin me tritol të bërë në 21 prill në Fier, ndaj Ervin Memos.

Ekspertët e kriminalistikës kanë dalë në përfundimin se lënda plasëse e vendosur në Benzin me targa AA 270 IV, është aktivizuar me anë të një telefonate.

Më konkretisht eksplozivi ndodhej në kroskot dhe ka shpërthyer teksa 38-vjeçari ndodhej në mjet.

Fatmirësisht ai ka mundur të dalë nga makina vetëm e disa dëmtime në trup, por pa pasoja për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22.45 në lagjen “29 Nëntori” në Fier, në momentin kur Memo hipi në makinë dhe e ndezi.

Por ai mundi të dalë nxitimthi nga makina, duke mundur të shpëtojë.

Gjatë marrjes në pyetje, Memo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka asnjë konflikt, veç atyre për pronat që ka trashëguar.

Por, ai nuk i ka vënë gishtin askujt për atentatin, pasi ka deklaruar se konfliktet me personat në fjalë nuk kanë qenë aq të ashpra sa ai të mendonte se mund ta vrisnin.

Pavarësisht dëshmisë së dhënë dhe informacioneve për konfliktet e pronësisë, grupi hetimor po kryen veprime edhe në drejtim të pistave të tjera.

Ndërkohë, 38-vjeçari ka dhënë edhe detaje lidhur me momentet e shpërthimit. Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur sapo ka hyrë në makinë, të cilën e përdorte rrallë pasi e kishte lënë para banesës me tabelën “shitet”. /a.y/noa.al