Gjyqtari dëmton Shkëndijen në derbin e madh në Maqedoni

Shpërndaje

Shkëndija nga Tetova, kampion në fuqi, sezonin e ri garues 2018/2019 në Superligën e Maqedonisë, e nisi me barazim 2:2 kundër Vardarit të Shkupit, në një duel ku kuqezinjtë me të drejtë ndjehen të vjedhur nga ana e gjyqtarëve.

Ekipi tregoi karakter kur pas rezultatit negativ 0:1 bëri përmbysje në 2:1, mirëpo kjo nuk mjaftoi në fund për tri pikë.

Përveç kriteriumit të çuditshëm të gjyqtarit kryesor dhe numrit të madh të kartonave të verdhë për lojtarët tanë, në sekondat e fundit të ndeshjes Shkëndija u dëmtua me një penalti të pa dhënë pas lojës me dorë të lojtarit kundërshtar në zonën e rrezikut.

Gjithsesi trajneri Qatip Osmani pas ndeshjes nuk ka dashur të komentojë referimin, duke nxjerrë në plan të parë karakterin e ekipit që gjeti forcë për përmbysje me 10-të lojtarë, ndërsa shto se ekipi nuk mbuloi mirë në pranimin e dy golave.

“Të dy golat e pranuar ishin pas gabimeve tona kur nuk u vendosëm si duhet në zonën e goditjes. Gjithsesi në pjesën e dytë u kthyem në lojë me golin e barazimit, ndërsa me dhjetë lojtarë arritëm të avancojmë. Nuk dua të komentoj referimin, pasi ka njerëz kompetent për një gjë të tillë. Në ndodhitë në fushë ndikuan shumë gjëra, lodhja e skuadrës pas ndeshjeve të vështira në Europë, kartonat e verdhë dhe provokimet gjatë gjithë takimit, por sigurisht se ka edhe gjëra pozitive që duhet veçuar, si karakteri i ekipit për të kthyer rezultatin pas rezultatit negativ edhe atë me një futbollist më pak në fushë”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.

Për Shkëndijen shënuan: Besart Ibraimi (54′), Besmir Bojku (75′) dhe për Vardarin: Tigran Barseghyan (5′) e Goran Popov (85′).

Duhet theksuar se nga minuta e 63-të, Shkëndija luajti me një lojtar me pak, kur Armend Alimi u ndëshkua me karton të kuq.

Shkëndija-Vardari 2:2

Stadiumi i qytetit në Tetovë.

Shikues:4.000.

Gjyqtar: Aleksandër Stavrev (Shkupi).

Shënues: Ibraimi (54’), Bojku (75’) – Barseghyan (5’), Popov (85’).

Kartonat e verdhë: Nafiu, Alimi, Mici, Murati, Emini, Junior, Musliu – Novak, Barseghya, Gaçevski, Popov..

Karton i kuq: Alimi.

Shkëndija: Zahov, Mici, Murati (Adili 82’), Bejtullai, Musliu, Alimi, Zejnullai, (Totre 46’), Junior, Nafiu (Bojku 67’), Emini dhe Ibraimi.

Vardari: Gaçevski, Toshevski, Novak, Popov, Brdarovski, Bitang, Micevski (Najdovski 87’), Jufo (Berisha 78’), Cvetanovski (Popzlatanov 78’), Barseghyan dhe Lira Sousa.