Besa, VMRO, ASH dhe të pavarurit formojnë shumicën në Tetovë

Shpërndaje

Ekonomisti Besar Durmishi nga Lëvizja Besa është kryetari i Këshillit të Tetovës. Nga gjithsej 31 këshilltarë, 16 votuan “pro” zgjedhjes së tij. Për votuan 8 këshilltarë të Lëvizjes Besa, 4 të VMRO-DPMNE-së, 2 të Aleancës për Shqiptarët dhe dy të pavarurit. Njëri prej tre këshilltarëve të koalicionit ASh-Aleternativa, konkretisht i Alternativës, nuk votoi. Kryetari i ri i Këshillit, Besar Durmishi nuk tregon se si do të ndahet postet në Komunë mes Besës dhe partnerëve komunalë, VMRO-DPMNE-së, Aleancës dhe të pavarurve dhe nëse kanë pasur marrëveshje për përkrahje në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Parimisht me Aleancën për Shqiptarët ishim edhe në fushatë edhe përkrahja e tyre ishte reciproke, ne i përkrahëm në ato komuna që deshën ndryshimin dhe deshën të vazhdonin edhe për një mandat dhe na përkrahën njëjtë për të bërë ndryshimin. Me VMRO kemi pasur marrëveshje për postet udhëheqëse, kur të jetë kryetari do t’u jap ai ku edhe si do të jetë”, tha Besar Durmishi – kryetar i Këshillit Komunal Tetovë.

Nga lista e pavarur “Më mirë për Tetovën” thonë se përkrahja e tyre ka qenë kushtëzuar dhe se do të vazhdojnë të votojnë “pro” vetëm nëse komuna ka transparencë dhe punon në interes të qytetarëve.

“Ne thamë se do të përkrahim çdo vendim që është për të mirën e qytetit dhe do kundërshtojmë çdo vendim që është në dëm të banorëve të Tetovës. Është me rëndësi që kryesuesi i Këshillit edhe Kryetari i Komunës të jenë nga një parti edhe ajo na jep shpresë se do të ketë ndonjë ndryshim, por kjo nuk do të thotë se vota jonë do të jetë pro çdo vendimi të udhëheqësisë aktuale, ne do ta analizojmë çdo pikë edhe çdo vendim veç e veç”, u shpreh Elmedina Abdullahu – këshilltare “Më mirë për Tetovën”.

BDI me 10 këshilltarë, PDSH me 2 dhe LSDM me 2 këshilltar do të mbeten opozitë në Këshillin e Tetovës. Në votim abstenuan për shkak se siç thanë, as që janë konsultuar më parë për shumicën e këshillit. Sor për herë të parë seanca e Këshillit komunal në Tetovë u transmetua edhe online në faqen e Komunës së Tetovës.