Koalicioni arab: Rebelët Huthi sulmuan fabrikën e naftës në Jeddah

Shpërndaje

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen tha se një fabrikë e naftës e kompanisë Aramco në Jeddah të Arabisë Saudite u sulmua nga rebelët Huthi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të koalicionit të transmetuar nga agjencia shtetërore saudite e lajmeve SPA thuhet se fabrika e Aramco-s në Jeddah ishte në shënjestër të një “akti agresioni” nga milicitë Huthi të mbështetur nga Irani.

Deklarata shtoi se pas sulmit “armiqësor”, një zjarr shpërtheu në objektin e naftës, megjithatë, ai u kontrollua dhe nuk raportohet për viktima.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Huthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Sipas OKB-së, konflikti ka krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë të krijuar nga njeriu.