Maqedoni

Sindikatat e Maqedonisë të gatshme për grevë, nga 22 qershori do të punojnë me kapacitete minimale

Shpërndaje

Sindikatat po bëjnë koordinimin e fundit për grevën e paralajmëruar në sektorin publik.

Të dhënat e marra nga televizioni Alsat, janë se ndërmarrjet komunale dhe publike, si dhe institucionet më 22 qershor, të mërkurën do të punojnë duke angazhuar vetëm një përqindje të vogël të punonjësve.

Kjo do të thotë se shërbimet për qytetarët do të kryhen në shkallë të ulët.

Sipas Ligjit për Veprimet Komunale, gjatë grevës, puna e këtyre kompanive nuk duhet të ndalet plotësisht.

Plehrat do të grumbullohen me 10% të kapacitetit të ndërmarrjeve komunale, po aq është edhe përqindja e punonjësve bashkë me mekanizimin, që do të punojë për riparimin e defekteve.

Nga LSM thanë se nga e mërkura i gjithë sektori publik do të funksionojë me kapacitet minimal.

“Kërkojmë Kontratën e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik me rritje të përcaktuar të pagave të punonjësve të sektorit publik për 2806 denarë në shumën neto në përputhje me rritjen e pagës minimale dhe të drejtë të përcaktuar për regres për pushim vjetor 30% deri në 100% nga mjetet bazë”, thanë nga LSM.

Nga Qeveria thonë se kanë formuar një organ të posaçëm që duhet t’ua ndryshojë mendjen sindikatave dhe t’i japë fund grevës.

“Në Këshillin për pajtim nga ana e punëdhënësit anëtarë janë zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike Fatmir Bytiqi, ministri i financave Fatmir Besimi, ministrja e punës dhe politikës sociale Jovana Trençevska dhe ministri i shoqërisë informatike dhe Administratës Admirim Aliti, duke theksuar se dialogu nuk është ndërprerë asnjëherë, dhe bisedimet me sindikatat e degëve vazhdojnë”, thonë nga Qeveria.

Sindikatat kanë dërguar tashmë një amendament për rishikimin e buxhetit duke kërkuar që të sigurohen para për paga më të larta në sektorin publik.

LSM paralajmëron se nëse sërish mashtrohen nga politikanët, do të paralizohet aparati shtetëror.