Ndryshimet kushtetuese, Pendarovski mbështet heqjen e 20%

Shpërndaje

Presidenti Stevo Pendarovski pranon që në Kushtetutë shprehja “20 për qind” të zëvendësohet me termin “gjuhë shqipe”. Ai nga Tetova theksoi se do të ishte i pari që do ta mbështeste një ide të tillë. Paraprakisht vetëm ministri i Drejtësisë Krenar Lloga kishte përmendur një mundësi të tillë pasi tashmë do të hapet Kushtetuta, por partnerët nga koalicioni qeverisës porositën që ndryshimet kushtetuese të qëndrojnë vetëm në futjen e komuniteteve.

“Unë do mbështesja, sepse mendoj se është një gjë normale dhe e natyrshme. Pse të fshihet identiteti etnik i dikujt, i cili është i qartë dhe i padiskutueshëm për të gjithë, pas numrave?”, tha Stevo Pendarovski – President i RMV-së.

Pendarovski po ashtu tha se është i gatshëm të organizojë takimin e liderëve për ndryshimet kushtetuese, por, siç tha ai, nuk mund të detyrojë askënd të flasë. Ai sqaroi se nga njëra anë opozita dëshiron të gjejë në tryezë propozim për ndryshimin e Kushtetutës sipas modelit kroat ndërsa pala tjetër po përpiqet të diskutojë vetëm për futjen e bullgarëve, prandaj një takim i tillë i liderëve për momentin është i pamundur.

Ndërkohë, bisedimet për ndryshimet kushtetuese pritet të fillojnë vetëm në grupin e punës të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Nga aty ende nuk e kanë publikuar listën përfundimtare të anëtarëve, përkatësisht ekspertëve të së drejtës kushtetuese që do të merrnin pjesë me ftesë të tyre.

“Pasi ta bëjë këtë Ministria e Drejtësisë, atëherë do të fillojë puna praktike e komisionit, i cili do të duhet të përgatisë amendamentet dhe të cilat më pas do t’i dorëzohen Qeverisë dhe do të hyjnë në procedurë parlamentare”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kovaçevski përsëriti se deputetët do ta thonë fjalën e fundit dhe porositi që ata të kenë kapacitet demokratik dhe vizion për të ardhmen evropiane të vendit. /Alsat.mk