Grupi i Kontaktit i Gazës diskuton hapat për presion mbi Izraelin dhe për të nxitur njohjen e Palestinës
Grupi i Kontaktit i Gazës, i formuar nga anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Ligës Arabe, u mblodh sot për të diskutuar hapat për të nxitur njohjen e një shteti të Palestinës dhe për të rritur presionin ndaj Izraelit dhe mbështetësve të tij, transmeton Anadolu.
Burime diplomatike thanë se takimi, i mbajtur në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, ka përfunduar, ndërsa përfaqësuesit kanë diskutuar gjithashtu vendimet që do të merren në Samitin e ardhshëm të OBI-së në Banjul të Gambisë më 4 maj.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, anëtar i grupit të krijuar për të nxitur një armëpushim në enklavën palestineze, mori pjesë gjithashtu në takim. Burimet thanë se ai do të vazhdojë takimet e tij shumëpalëshe dhe dypalëshe në Riad deri të hënën.
Fidan është planifikuar të takohet me homologun e tij Ayman Safadi të Jordanisë, Espen Barth Eide të Norvegjisë, Shai Muhsin Zindani nga Jemeni dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell.
Grupi i kontaktit u krijua në një samit të përbashkët të OBI-së dhe Ligës Arabe në Arabinë Saudite në nëntor për të ndaluar konfliktin në Gaza dhe për të ndihmuar në arritjen e paqes së qëndrueshme.