Maqedoni: Rekomandohet heqja e certifikatave të vaksinimit gjatë hyrjes në qendra tregtare
Komisioni për Sëmundje Infektive në mbledhjen e sotme ka vendosur që të rekomandojë heqjen e certifikatave për vaksinim gjatë hyrjes në qendra tregtare, gjegjësisht atje ku nuk është e detyrueshme mbajtja e maskave.
Kryetari i KSI-së Aleksandar Petliçkovski sot në konferencë për shtyp, tha se ky vendim është lehtësim i kufizimeve, por shtoi se do të jenë të kujdesshëm në hapat e ardhshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai gjithashtu njoftoi se prej sot do të fillojë fushata për caktimin e termineve për të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar plotësisht, gjegjësisht nuk e kanë marrë dozën e tretë, e që janë në grupin e personave të rrezikuar.
“Qytetarët e rrezikuar, ata që kanë mbi 65 vjeç dhe kanë komorbiditet, ose janë më të rinj se 65 vjeç por kanë disa sëmundje tjera shoqëruese, do t’u arrijë SMS me termin për të shkuar në pikën e vaksinimit dhe për t’u vaksinuar”, tha Petliçkovski.