Reuters: Palët pranë arritjes së një marrëveshjeje bazë për tavanin e borxhit në SHBA
Presidenti Joe Biden dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy janë më pranë arritjes së një marrëveshjeje për të rritur tavanin e borxhit, që tani është në nivelin 31.4 trilionë dollarë, dhe se ata janë duke punuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet për një fond prej 70 miliardë dollarësh të shpenzimeve qeveritare, tha të enjten një person që ka njohuri mbi procesin e negociatave.
Sipas personit që ka njohuri për bisedimet mes Presidentit Biden dhe ligjvënësit McCarthy, në vend të një projekt-ligji prej qindra faqesh, që do t’u merrte ligjvënësve disa ditë për ta analizuar, palët ka shumë të ngjarë të bien dakord për një version më të shkurtër të projekt-ligjit për rritjen e tavanit të borxhit, i cili do të përfshinte disa nga shifrat kryesore të shpenzimeve.
Negociatorët pritet të arrijnë një marrëveshje për shpenzimet kryesore, përfshirë ato në fushën e mbrojtjes, duke ua lënë komisioneve të caktuara të Kongresit të merren me detajet e shpenzimeve për çështjet si arsimi dhe strehimi në muajt e ardhshëm, tha një person tjetër i cili është informuar me rrjedhën e bisedimeve për rritjen e tavanit të borxhit.
Sipas disa burimeve që kanë njohuri për këtë çështje, marrëveshja përfundimtare pritet të përfshijë një kornizë për bisedimet e ardhshme mbi buxhetin dhe jo një pako të detajuar të shpenzimeve qeveritare.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte për zhvillimet e fundit rreth negociatave mbi tavanin e borxhit.
Nëse arrihet një marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit, ajo do të duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, dhe nga Senati, që kontrollohet nga demokratët.