BotaTop Lajme

Sulmi në centralin bërthamor në Abu Dhabi/ Reagojnë Emiratet e Bashkuara Arabe: Kërcënim për sigurinë!

Shpërndaje

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka dënuar sulmin e ndodhur në një prej centraleve bërthamore të vendit, duke e konsideruar si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit”.

Në reagim e Ministrisë së vendit theksohet se sulmi paraqet rreziqe të mëdha për civilët, mjedisin, si dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare

Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan se kanë të drejta “të plota” për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe e quajtën sulmin një “sulm terrorist”.

Më herët u raportua se sulmi erdhi nga kufiri perëndimor i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe goditi termocentralin Barakah.

Anwar Gargash, këshilltar diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në një reagim në platformën X u shpreh: “Askush nuk do t’ia shtrembërojë krahun Emirateve të Bashkuara Arabe, as nuk do të ketë sukses në minimin e vizionit, suksesit dhe mesazhit të tij frymëzues për popujt e rajonit në siguri, stabilitet, zhvillim dhe prosperitet.”

Sulm me dron pranë centralit bërthamor në Abu Dhabi

Një zjarr u raportua pranë një centrali bërthamor në Abu Dhabi. Sipas autoriteteve zjarri është shkaktuar nga një sulm me dron. Si pasojë u godit një gjenerator elektrik që ndodhej jashtë perimetrit të brendshëm të stacionit të Energjisë Bërthamore.

Nuk u raportuan të lënduar dhe nuk pati ndikim në nivelet e sigurisë radiologjike.

Autoriteti Federal Rregullator Bërthamor (FANR) konfirmoi se kjo nuk ndikoi në sigurinë e termocentralit ose në gatishmërinë e sistemeve të tij thelbësore dhe se të gjitha njësitë “po funksionojnë normalisht”.